Programi pesëditor i trajnimit “Forcimi i cilësisë së auditimit dhe raportimit për ngritjen e kapaciteteve të sistemit gjyqësor në drejtim të raportimit financiar”

Shkolla e Magjistraturës, me mbështetjen e Bankës Botërore, përfundoi programin pesëditor të trajnimit në kuadër të projektit “Forcimi i cilësisë së auditimit dhe raportimit për rritjen e kapaciteteve të sistemit gjyqësor në drejtim të raportimit financiar” në bashkëpunim me Institutin e Financave Publike dhe Kontabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe firmën UHY-ELITE. 

Programi i trajnimit realizoi ngritjen e kapaciteteve të një grupi prej tetëdhjetë magjistratësh (gjyqtarë dhe prokurorë) në detyrë përsa i takon kuptimit më të mirë të parimeve kontabël dhe të raportimit financiar; familjarizimin me raportimin financiar dhe rritjen e kompetencave vendimmarrëse për interpretimin e duhur të përgjigjeve/raporteve të ekspertëve kontabël (përfshirë kontekstin ligjor) nga magjistratët në detyrë, si dhe identifikimin e situatave ku mungon përgjigjja e besueshme.

Aktivitetet u realizuan në rrethe gjyqësore të ndryshme të vendit me synimin për të përfshirë të gjithë magjistratët, si në Vlorë, Shkodër, Pogradec dhe Tiranë. Dita e fundit e trajnimit u zhvillua në mjediset e godinës “Poli i Drejtësisë”, ku u realizua edhe testimi përkatës për vlerësimin e njohurive të fituara gjatë programit të trajnimit përsa i takon përmirësimit të aftësive në leximin dhe përdorimin e pasqyrave financiare, si dhe interpretimin e evidencës kontabël.

Në mbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi, zëvendës ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Sh.T.Z. Philipp Arnold dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, z. Dritan Fino. 

Në fund të aktivitetit trajnues pjesëmarrësve iu shpërnda certifikata për realizimin me sukses të programit të trajnimit.